Deri tani e dimë se pacientët e shtruar në spital me Covid-19 të formës së rëndë, kanë shpesh sëmundje para-ekzistuese ose probleme të ndryshme shëndetësore. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se mbipesha shoqërohet shpesh me simptoma serioze nga koronavirusi.
Së fundmi një studim i kryer nga Universiteti Taft në Boston, SHBA, siguroi një tablo të gjendjes klinike të pacientëve me koronavirusin Sars-Cov-2. Autorët treguan se cilat ishin 4 patologjitë dhe kushtet shëndetësore të lidhura me format më të rëndësishme të Covid-19,dhe që ndikojnë tek 2/3 e rasteve të shtrimit në spital.
Gjetjet e këtij studimi u publikuan në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës (JAHA).Ekipi i studiuesve kreu një simulim matematikor, bazuar në përdorimin dhe kombinimin e mostrave të mëdha të të dhënave në lidhje me pacientët e sëmurë me Covid-19 dhe sëmundje të tjera në Shtetet e Bashkuara.
Në veçanti, të dhënat e shtrimeve në spital të pacientëve nga14 shtete pjesëmarrëse, të kombinuara me informacione të tilla si mosha, gjinia dhe përkatësia etnike, vijnë nga Covid-Net i CDC (Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA).
Një burim tjetër i informacionit është Covid Tracking Project,i krijuar nga një organizatëjofitimprurëse në SHBA.
Në total, u shqyrtuan të dhënat e më shumë se 900 mijë pacientëve. Analiza epidemiologjike (statistikore) tregon se në mungesë të 4 sëmundjeve,do të kishte qenë ndoshta e mundur të shmangeshin 2/3 (rreth 64 për qind) shtrimeve në spital, ose rreth 575 mijë shtrime në spital.
Në krye të listës është mbipesha, e vlerësuar në analizën statistikore si përgjegjëse për rreth 30 për qind të shtrimeve në spital për Covid-19. Ndërkohë 26 për qind të rasteve në spital i atribuohen hipertensionit, 21 për qind diabetit,dhe thuajse 12 për qind insuficiencës kardiake.
Roli i shumë prej këtyre kushteve ndryshon sipas grupmoshës. Për shembull, tek njerëzit nën moshën 50 vjeç, diabeti është përgjegjës për vetëm 8 për qind të shtrimeve në spital, krahasuar me 29 për qind tek njerëzit mbi 65 vjeç.
Anasjelltas, mbipesha ka të njëjtin ndikim negativ në të gjitha grupmoshat. Por edhe etnia luan gjithashtu një rol. Në SHBA më të prekurit janë afro-amerikanët dhe hispanikët. Duke kujtuar se të dhënat janë të vlefshme për pacientët amerikanë, dhe se në Evropë përqindjet mund të jenë të ndryshme, fakt është se në përgjithësi këto sëmundje e rrisin rrezikun e pasjes së një Covid-19 në formë të rëndë.
Prandaj rezultatet e studimit e vënë theksin tek parandalimi, ku rënia në peshë është thelbësore për uljen e gjasave për simptomat kryesore të koronavirusit, dhe zhvillimin e shumë problemeve të tjera shëndetësore.