Në një kohë kur të gjithë deputetët e grupit parlamentar kanë kërkuar largimin e kreut të Partisë Demokratike, pas humbjes drastike në zgjedhjet e 6 marsit, Lulzim Basha do të mbledhë sot në seli në orën 17:00, grupin parlamentar.
Humbja e thellë e PD-së në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit ka nxitur zërat kundër Bashës brenda kësaj partie, duke i faturuar atij rezultatin e dobët, ku nuk mundën të marrin asnjërën nga 6 bashkitë. Janë të shumtë ata në grupin parlamentar që kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës, ndërsa të paktën 20 prej tyre janë shprehur publikisht, duke përfshirë edhe besnikët e kryedemokratit.
Përballë këtyre kritikëve, Basha ka në krah një pjesë të vogël të deputetëve, krerët e degëve, por edhe kandidatët e 6 marsit. Por edhe pse i vënë në këtë situatë, Lulzim Basha ka thënë se është i gatshëm për çdo zgjidhje, pa përjashtim, por pa artikuluar për asnjë moment fjalën ‘dorëheqje’.