Kina pret të miratojë një ligj për arsimin që synon të reduktojë stresin e krijuar nga detyrat e tepërta të shtëpisë dhe mësimit intensiv pas shkolle.
Ligji parashikon që prindërit t’u lënë kohë më të lirë fëmijëve për pushim dhe stërvitje, por t’u kufizohet koha e qëndrimit në internet. Në muajin gusht, Kina i ndaloi provimet me shkrim për fëmijët gjashtë dhe shtatë vjeç. Autoritetet paralajmëruan në atë periudhë se shëndeti fizik dhe mendor i nxënësve po dëmtohej.
Vitin e fundit shteti ka prezantuar një sërë masash që synojnë zbutjen e “varësisë” së fëmijëve ndaj internetit. Detajet e këtij ligji ende nuk janë publikuar, por raportet e mediave tregojnë se inkurajon prindërit të ushqejnë edukatën, zhvillimin intelektual dhe zakonet shoqërore te fëmijët e tyre.
Pushteti vendor do të jetë përgjegjësi për zbatimin dhe garantimin e fondeve për sigurimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore që zhvillohen jashtë programit mësimor.