MEKSIKË– Gazetarja Lourdes Maldonado Lopez është vrarë në qytetin verior kufitar Tihuana. Vrasja e saj, është e dyta në këtë qytet brenda një jave, dhe e treta në Meksikë brenda këtij muaji për në rangun e gazetarëve.
Gazetarja u gjet e vrarë me armë në makinën e saj dy ditë më parë. Autoritetet konfirmuan se u njoftuan nëpërmjet një telefonate në numrat e urgjencës rreth orës 19:00 duke e gjetur më pas Maldonado të vdekur. Në vitin 2019, Maldonado kishte marrë pjesë në konferencën e përditshme për shtyp të zotit Lopez Obrador dhe kishte kërkuar ndihmën e tij pasi ishte e frikësuar për jetën e saj.
Maldonado ishte angazhuar në një përplasje shumëvjeçare me Jaime Bonillan, i cili një vit më vonë u zgjodh guvernator i rajonit Baja California, si kandidat i partisë së zotit Lopez Obrador, partia Morena. Ai u largua nga posti vitin e kaluar. Maldonado kishte njoftuar se pas nëntë vitesh kishte fituar procesin ndaj një kompanie mediatike në pronësi të zotit Bonilla. Ajo mbulonte çështjet e korrupsionit dhe politikën në Tihuana dhe ishte përballur me agresion edhe më parë për shkak të punës së saj.
Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador bëri thirrje për një hetim të plotë dhe paralajmëroi kundër daljes në konkluzione të parakohshme për motivin e vrasjes së Lopez, një gazetare nga Tihuana që dikur i kishte kërkuar ndihmë.