Koreja e Veriut ka publikuar disa fotografi të cilat thotë se janë realizuar nga raketa më e fuqishme e lëshuar prej saj në 5 vitet e fundit. Fotot e pazakonta të realizuara nga hapësira tregojnë pjesë nga gadishulli korean dhe zonat përreth. Peniani konfirmoi të hënën se kishte testuar një raketë balistike me rreze të mesme Hwasong-12, e cila mund të arrijë një distancë prej mijëra kilometrash, duke shënjestruar kështu territorin më të afërt amerikan, ishullin e Guamit.
Testimi i fundit ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar. Peniani ka realizuar 7 testime, një numër rekord, vetëm në muajin e fundit, një veprim i dënuar me forcë nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Japonia dhe shtete të tjera. Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ka ndaluar Koresë së Veriut zhvillimin e testimeve të armatimeve bërthamore dhe ka vendosur sanksione strikte, por shteti komunist e shkel vazhdimisht këtë rregull.