Shifrat e infektimeve me Covid-19 duket se shënojnë rritje. Të dhënat e fundit tregojnë se koronavirusi është përhapur gjerësisht në shkolla. Tirana është qarku më problematik, pasi çdo ditë rritet ndjeshëm numri i mësuesve dhe punonjësve të infektuar. Vetëm në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë deri më tani janë 13 mësues dhe punonjës të infektuar. Në këtë shkollë vijon normalisht procesi i mësimit, pasi mësuesit e infektuar janë zëvendësuar. Të infektuar ka edhe në Durrës, pasi kanë rezultuar 2 nxënës të infektuar.
Situata është alarmante edhe në Elbasan, pasi janë konfirmuar të prekur me COVID-19, 8 mësues, duke e çuar në total numrin e mësuesve të infektuar në këtë qark në 20. 8 mësuesit e infektuar janë të ndarë në: 2 mësuesë tek shkolla Luigj Gurakuqi; 1 tek Naim Frashëri; 1 në Griqan; 1 tek Qemal Haxhihasani; 1 tek Kristofor Kristoforidhi; 1 në Mengel; dhe një tek shkolla në Katund i ri.
COVID-19 është përhapur edhe në qytetin e Beratit. Deri më tani janë infektuar 2 nxënëse dhe një mësuese në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, një nxënës në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori” dhe 1 nxënëse në shkollën 9-vjeçare të fshatit Lapardha.
Ndërkohë janë konfirmuar të infektuar edhe dy mësues në Gjirokastër, një mësues i infektuar në shkollën 9-vjeçare “Urani Rumbo” dhe një tjetër tek shkolla private “Giuseoe Grass”.
Po kështu, 4 edukatore të një kopshti në Pogradec kanë rezultuar të infektuara dhe menjëherë është mbyllur ky institucion arsimor. Sakaq edhe 6 edukatore të kopshtit 31 në Tiranë janë prekur nga Covid.