Vladimir Putin ka ngjallur jo pak pikëpyetje lidhur me rrezikun që i kanoset botës, me aktin e vendosjes së forcave parandaluese bërthamore ruse në gatishmëri të lartë.
Por çfarë do të thotë saktësisht ky veprim i liderit rus?
Analistët perëndimorë akoma nuk janë plotësisht të qartë se çfarë simbolizon ky mesazh i Putinit, ndërsa ngrenë disa hipoteza.
Zyrtarët e Britanisë së Madhe thonë se gjuha që Putin përdori në momentin e njoftimit, nuk përputhej me atë që Britania e quan nivel alarmi për armët bërthamore. Në të njëjtën linjë, edhe sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, shprehet se gjithçka ishte vetëm një retorikë nga ana e liderit rus, për të rritur presionet mbi Ukrainën, përgjatë bisedimeve që ishin përcaktuar paraditen e sotme (28 shkurt). Nga ana tjetër, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, ka deklaruar se presidenti Putin po përshkallëzon luftën me “retorikë të rrezikshme”, një veprim ky i pajustifikuar, pasi Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord prej kohësh, që përdorimi i armëve bërthamore, do të kishte pasoja shkatërruese dhe nuk do të sillte fitore për asnjë nga palët.
“Ne mendojmë se retorika provokuese në lidhje me armët bërthamore është e rrezikshme dhe duhet të shmanget”, tha zyrtari, ndërsa shtoi se urdhri i Putinit nuk jep “asnjë arsye për të ndryshuar nivelet e gatishmërisë”. Analistë të tjerë, mendojnë se Putini po urdhëronte një lëvizje ushtarake, të kalonte nga niveli më i ulët i gatishmërisë, në një nivel tjetër më të lartë.
Shumë e kanë interpretuar këtë njoftim, kryesisht si një qasje të qëllimshme në komunikimin politik dhe jo një kërcënim real për përdorim të armëve bërthamore. Megjithatë, pavarësisht këtyre hipotezave, nuk do të thotë se rreziku nuk ekziston.
A ishte njoftimi i Putinit, një paralajmërim i ri?
Ditën e parë që nisi pushtimi (24 shkurt), Putini paralajmëroi publikisht se çdo vend që do të ndërhynte në planet e Rusisë, do të përballej me pasoja “të tilla që nuk i kanë parë kurrë”.
Ky mesazh u interpretua gjerësisht si një paralajmërim për NATO-n që të mos përfshihej drejtpërdrejt ushtarakisht në Ukrainë. NATO nga ana tjetër, e ka shprehur qartë se nuk do të ndërmarrë një veprim të tillë që mund të shkaktojë konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, që më pas, mund të përshkallëzohet shumë lehtë në një luftë bërthamore. Por edhe pse paralajmërimet ishin bërë që në fillim të krizës, dietën e diel, Putin e shtoi agresionin në retorikën e tij.
Pse ky paralajmërim?
Ditën e djeshme, lideri rus u shpreh publikisht se urdhri për vendosjen e forcave parandaluese për armët bërthamore, ishte një përgjigje për sanksionet e forta të Perëndimit ndaj Moskës. Ajo që e bën të ndryshme këtë deklaratë nga ajo e mëngjesit të 24 shkurtit, është situata aktuale ku gjendet Rusia në këtë luftë. Zyrtarët perëndimorë, besojnë se paralajmërimi i ri, ka ardhur si pasojë e gabimeve që Putini bëri në raport me Ukrainën.
“Ai e ka nënvlerësuar rezistencën me të cilën do të përballej në Ukrainë. Ai nënvlerësoi edhe qëndrimin që do të mbante Perëndimi, duke mos i parashikuar dot gjithë këto sanksione të forta. Ndaj vendimi për kalimin e forcave parandaluese bërthamore ruse në gatishmëri të lartë, është qartazi një shenjë zemërimi dhe zhgënjimi”, është shprehur një ish-gjeneral britanik.
Cilat janë rreziqet?
Edhe nëse kërcënimi i Putinit shihet vetëm si një paralajmërim, në vend që të sinjalizojë një mundësi reale për të përdorur armët, ekziston gjithnjë rreziku i keqkuptimeve mes palëve dhe mjafton një mesazh i dalë nga konteksti, për të nxjerrë situatën jashtë kontrollit. Një shqetësim që ngrenë ekspertët e komunikimit politik në Perëndim, është fakti se Putini ka humbur shumë nga kontakti me botën jashtë në këto pesë ditë, gjë që e rrit mundësitë që informacioni që merr nga personeli rreth tij, të jetë subjektiv dhe i cunguar.
Madje, ata shkojnë deri aty sa frikësohen se gjykimi i Presidentit rus, po bëhet çdo ditë edhe më pak i arsyeshëm.
Të tjerë ekspertë, shpresojnë se edhe nëse Putini vendos të shkojë deri në pikën më të largët, ata më poshtë zinxhirit të komandës, mund të mos jenë të gatshëm të zbatojnë urdhrat. Prandaj rreziqet për një konflikt bërthamor mund të thuhet se janë rritur, por mbeten ende në nivele të ulëta.
Si po reagon Perëndimi?
Deri më tani, qeveritë perëndimore kanë qenë të kujdesshme që të mos përshkallëzojnë më tej as retorikën dhe as veprimet.
Kështu edhe pse kanë mbajtur qëndrim të fortë kundër ofensivës ruse që prej ditës së parë, sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara, aktualisht nuk kanë “asnjë arsye për të ndryshuar” nivelet e alarmit bërthamor. Edhe Mbretëria e Bashkuar e cila ka nëndetëse të armatosura bërthamore në det, gjithashtu nuk ka ndërmarrë asnjë hap dhe nuk ka deklaruar asgjë që mund të shkaktojë provokim në palën tjetër.
“Deklarata ruse është e turpshme. Kjo nuk është një sfidë bërthamore dhe nuk duhet të bëhet e tillë”, thonë zyrtarët perëndimorë të sigurisë.