Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD-së Lulzim Basha për aleancën me LSI. Vasili shkruan në një postim në “Facebook” se Basha e preu në besë LSI-në, duke renditur disa raste kur sipas tij janë gënjyer nga kreu i PD. Bëhet fjalë për djegien e mandateve, braktisjen e zgjedhjeve lokale, bllokimin e bashkive apo mungesën e kërkesës për pjesëmarrje në zgjedhje lokale në tetor 2019.
Vasili shkruan se Basha i këshilluar nga kompania izraelite, që i dha Edi Rama koordinoi me izraelitët e Ramës për të dëmtuar LSI me çdo formë e çdo mënyrë.
Sipas tij, kreu i PD me porosi të Edi Ramës nuk mbështeti kurrë publikisht denoncimet shumë të rënda të inceneratorëve të bëra nga LSI, ndërsa LSI me luajalitet ka mbështetur çdo denoncim për korrupsion të bërë nga PD.
POSTIMI I PLOTË
Të vërtetat shkatërruese përballë kryemashtruesit vulëhumbur të demokratëve!
KryeGënjeshtarit vulëhumbur të demokratëve Lulzim Basha, që ka gënjyer paturpësisht e gënjen për LSI po i përball të vërtetat, të cilave ai kërkon t’u bëjë bisht dhe t’u shpëtojë duke u futur në brekushet e Edi Ramës.
Kryegënjeshtari ka gënjyer në mënyrë të pacipë për 4 vjet rresht, që nga 17 maji i 2017 ku u ul në tavolinë falë LSI dhe ku menjëherë më pas u shndërrua në zorrën qorre dhe vegël të Edi Ramës dhe ku e sulmoi LSI-në në zgjedhjet e 2017 me çdo mjet e bile më shumë se Rama vetë.
LSI dëgjoi mashtrimet e tij për djegien e mandateve dhe i dogji ato sepse mashtruesi rrihte gjoksin se gjoja kishte mbështetjen e gjoja Planit Gjerman, por në fakt kishte planin e Edi Ramës duke i dhënë parlamentin në pjatë atij.
Kryemashtruesi e gënjeu akoma më poshtërsisht LSI- në edhe për braktisjen e zgjedhjeve lokale, ndërkohë që nuk kishte marrë asnjë mbështetje ndërkombëtare, por vetëm detyrën për zbatimin e planit të Edi Ramës për t’i dhënë edhe pushtetin lokal.
Kryemashtruesi gënjeu edhe për gjoja bllokimin e bashkive që nuk do t’i dorëzoheshin kurrë Ramës e ku ia dhuroi me shumë qejf dhe pa asnjë rezistence atij, sipas planit të Edi Ramës.
Kryemashtruesi nuk pranoi as të bënte kërkesë për pjesëmarrje në zgjedhje lokale në 18 tetor 2019, sipas dekretit të shtyrjes së zgjedhjeve nga Presidenti Meta, sepse ishte në kulm të pazarit me Edi Ramën dhe preu në besë LSI-në, opozitën dhe Presidentin.
Mashtruesi ra dakord për fushatë të përbashkët me LSI në 25 prill në të gjithë qarqet e vendit.
Por mashtruesi pengoi, refuzoi, u shmang dhe nuk bëri as edhe një takim të vetëm, bile me urdhër të Edi Ramës nuk mori pjesë as në mitingun e mbylljes së fushatës së LSI- së.
Mashtruesi i këshilluar nga kompania izraelite, që i dha Edi Rama koordinoi me izraelitët e Ramës për të dëmtuar LSI me çdo formë e çdo mënyrë.
108 mijë votat e LSI janë të gjitha grushte në surrat për kryemashtruesin ordiner, që kishte bërë plan t’i asgjësonte së bashku me binjakun e tij Edi Rama.
Kur LSI bëri denoncimin e shekullit për inceneratorët, kryemashtruesi i shitur shfaqej live, dhe pengonte qëllimisht transmetimin live e këtyre denoncimeve shumë të rënda kundër Edi Ramës dhe kjo u prishte pazarin e hajdutëve që të dyve.
Kryemashtruesi me porosi të Edi Ramës nuk mbështeti kurrë publikisht denoncimet shumë të rënda të inceneratorëve të bëra nga LSI, ndërsa LSI me luajalitet ka mbështetur çdo denoncim për korrupsion të bërë nga PD.
Kryemashtruesi pengoi egërsisht pjesëmarrjen e LSI në Komisionin Parlamentar Hetimor për hetimin inceneratorëve sepse LSI do të nxirrte në shesh deri në fund aferën kriminale të inceneratorëve, që i prishte pazarin e madh midis kryemashtruesit dhe Ramës, pasi LSI ishte denoncuesja me e madhe e kësaj afere.
Këto janë vetëm disa të vërteta, që i nxjerrin bojën kryemashtruesit si një sejmen në shërbim të Edi Ramës dhe kundër të gjithë demokratëve, lsi-stave dhe qindra mijëra qytetarëve të ndershëm që vidhen e plaçkiten çdo sekondë nga mafia në pushtet e ndihmuar pa u lodhur nga kryemashtruesi.