Tiranë- Pas firmosjes së marrëvehsjes PD-LSI, kryetare e LSI Monika Kryemadhi në fjalimin e saj ka sqaruar detaje për marrëveshjen me PD-në, ndërsa theksoi se ndryshimi i pushtetit do të vijë, për një të ardhme më të mirë.
Ajo e cilësoi ditën e sotme një ditë historike.
Sot është një ditë historike do ta quaja për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokratike. Por më e rëndësishme do të ishte për të gjithë shqiptarët, sepse bashkimi dhe konsolidimi i një koalicioni përfundimtar përballë një sekti kriminal më 25 prill, do të jetë i domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos të të rinjve dhe të rejave tanë.
Sot LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë së Ramës dhe sot në një ditë që ne bashkohemi formalisht, do të bashkojmë forcat dhe të punojmë me njëri tjetrin në shërbim të popullit shqiptar. Partneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen, se ndryshimi është i paevitueshëm dhe se ditë më të mira ka përpara për shqiptarët kudo që jetojnë.
E di se do të ketë shumë prej atyre që do të thonë se LSI-ja është një parti që rritet nga elektorati i së majtës, por një parti si ne, LSI, ku në thelb të saj ka social demokracinë dhe bashkë me Partinë Demokratike që është parti e djathtë, dua të adresoj këtë gjë, që së pari ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete, me identitetin e tyre. Do të vijojmë, që në kohëra mund të kemi mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njëri tjetrin, duke vendosur gjithmonë përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Së dyti, jemi absolutisht të unifikuar me besimin se vendi është sot më keq seç ka qenë 4 apo 8 vite më parë, pothuajse të gjithë shqiptarët, përveç atyre që kanë lidhje të ngushta me qeverinë, të cilët janë më mirë se 99% e shqiptarëve. Ne dhe Partia Demokratike jemi të unifikuar në besimin se vendi po shkon drejt drejtimit të gabuar dhe se duhet të bëjmë më shumë për të lëvizur Shqipërinë dhe shqiptarët atje ku ata duan të jenë, në Bashkimin Evropian, që të kenë një jetë më të sigurt, të kenë një kosto jetese më të ulët, të kenë një standard jetese më të lartë, të kenë një arsimim më të mirë për fëmijët e tyre, të kenë një sistem shëndetësor më të mirë për ta dhe mbi të gjitha duhet të ndihen në Shqipëri si në shtëpinë e tyre.
Ne duhet të ndalojmë dëshirën e shqiptarëve për të emigruar nga Shqipëria, por duhet t’u krijojmë atyre më shumë mundësi, më shumë punësim, në mënyrë të tillë që të ndihen si qytetarë evropianë në Shqipëri.
Së fundmi, partneriteti ynë do t’i lejojë LSI-së që të ndjekë axhendën e saj politike. Në veçanti, ne si LSI do të punojmë për implementimin e pesë prioriteteve tona në pesë muajt e parë, për të ulur koston e jetesës për shqiptarët, për të krijuar punësim të mirë paguar për ta, për t’iu dhënë shqiptarëve shpresën dhe mundësinë që ata ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre.
Dua të garantoj të gjithë shqiptarët që ky është një partnership i ndërtuar për të zgjatur, jo vetëm gjatë fushatës elektorale, por edhe në qeverisjen e re të LSI me Partinë Demokratike dhe me z. Basha duke drejtuar të gjithë frontin opozitar në zgjedhjet e 25 prillit.
Do të punojmë krah për krah të gjithë së bashku, do të punojmë krah për krah z. Lulzim Basha, por jo vetëm, por edhe ne të gjithë përkrah njëri – tjetrit, në çdo qytet, në çdo qark, në çdo shtëpi e në çdo rrugicë, anëtarë të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por jo vetëm këta, por edhe të rinjtë dhe të rejat, të gjithë ata që janë pa parti, por që duan të ndryshojnë Shqipërinë, që duan të sjellin një jetë më të mirë për të rinjtë dhe për të rejat dhe që duan të jenë qytetarë dinjitozë në vendin e tyre.
Ne jemi përgatitur të fokusojmë të gjithë vëmendjen në rimëkëmbjen e ekonomisë sonë në post-Covid, atë të cilës Edi Rama jo vetëm që nuk i dha zgjidhje, por përkundrazi e futi vendin në krizë të jashtëzakonshme. Edi Rama premton që do të hapë vende pune, por një njeri që krijoi kriza pa pasur kriza, mendoni se si mund të nxjerrë vendin nga një situatë e tillë.
Dua t’ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, që të bashkohemi të tërë së bashku, të shkojmë drejt kutive të votimit më 25 prill. Referendumi i 25 prillit nuk është kalkulim politik. Referendumi i 25 prill është mision. Është mision kombëtar për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë çdo sekti, që kërkon të marrë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Unë ju ftoj të gjithëve, duke iu falënderuar, të drejtohemi drejt kutive të votimit, të flasim me miqtë, me shokët, me familjarët tanë, t’i bindim ata. E kuptojmë që janë të lodhur nga politika, e kuptojmë që janë të zhgënjyer nga politika, por sot më shumë se kurrë, bashkimi i LSI me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj është një sinjal më i fortë, në këtë ditë të mrekullueshme, në ditën e parë të muajit mars, në ditën e pranverës për të filluar një pranverë të re, pranverën e zhvillimit, pranverën e emancipimit, për të pasur më shumë gra dhe vajza, jo vetëm në qeverisje, por edhe në politikë bërje, për të pasur më shumë të rinj dhe të reja jo vetëm në qeverisje por edhe në politikë bërje, dhe për t’i dhënë forcë votës së shqiptarëve. Ju faleminderit.