Pas gati një muaj pushimesh, kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë sot duke mbajtur një fjalim përmbyllës për mandatin e dytë qeverisës.
Për kryeministri Edi Rama puna e këtij mandati u përmbyll me nota pozitive sa i takon dy sfidave më të mëdha, pandemisë dhe tërmetit.
“Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë, ku tërmeti më parë dhe pandemia më pas diktuan një forcë të pashembullt të ndryshimit të prioriteteve të qeverisë.
Jam krenar që ja dolëm këtyre dy sfidave që shfaqen në rrugën e një qeveria njëherë në 100 vjet”, tha Rama.
Fjala e kryeministrit Rama u përqendrua tek pandemia, duke thënë se ende nuk ka përfunduar, ndaj i bëri apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen duke mos shprehur preferanca për vaksinat.
“Garantimi i vaksinimit masiv ka bërë që edhe goditja që po merre trajtën e valës së tretë të jetë e moderuar. Kemi fatalitet edhe sot që po flasim.
Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar, rreth 80 persona të shtruar nuk janë në gjendje të rëndë.
Për skeptikët e Sinovac, mbase vlen edhe e dhëna se në grupin e të shtruarve ndahen të vaksinuar gjysmë për gjysmë Pfizer dhe Sinovac.
Shfrytëzoj rastin ti bëj apel atyre që nuk e kanë bërë vaksinën që të mos humbasin kohë. Me mendimin e gabuar se Pfizer bën dhe Sinovac nuk bën, por të përfitojnë dhe të vaksinohen. Vaksinohuni, vaksinoheni, vaksinohuni. Teoritë e konspiracionit e lënë organizmit e njërit pa imunitet. Këtë virus do ta kemi nëpër këmbë edhe këtë dimër”, tha Rama.