Publikohet historia e panjohur e deklaratave të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Vissarion Xhuvani, të botuara në gazetën “Besa” të Tiranës (me botues Fiqri Rusi), në vitin 1935, lidhur me shpifjet e trillimet e shtypit grek, si “Iporotikon Mellon”, “Elinikon Mellon”, “Prota”, për vrasjen e bujshme të Stefan Guvolit nga Dhrovjani i Delvinës.
Pretendimet e herëpashershme të disa qarqeve shoviniste të shtetit helen dhe të disa patriarkëve të lartë të Kishës Greke, që vazhdojnë të thonë me të madhe se gjoja në Shqipëri po persekutohet dhe po shkelen të drejtat e minoritetit grek e shtesave të tjera të besimit ortodoks, të cilat gjejnë vend dhe hapësira të bollshme në disa media helene, nuk janë gjëra të panjohura dhe të padëgjuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Po t’i hedhim një sy të shkuarës jo shumë ë largët, që ka të bëjë me marrëdhëniet në mes dy vendeve lidhur me këtë çështje, do të shohim se pretendimet e tyre janë një avaz i vjetër. Por ndryshimi qëndron në faktin se: ndërsa sot pretendimeve të tyre u bëjnë “iso” edhe disa personazhe të ish-organizatës Omonia, (e cila tashmë duket se është “arkivuar” dhe i përket të shkuarës), në atë kohë, më saktë në vitet e Monarkisë së Zogut, vetë paraardhësi i Janullatosit, Vissarion Xhuvani, që kryesonte Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, dilte me deklarata dhe shkrime të ndryshme në shtypin shqiptar të asaj kohe, duke përgënjeshtruar shpifjet dhe trillimet e qarqeve shoviniste greke dhe disa kryepeshkopëve të saj, të cilët pretendonin se në Shqipëri, po persekutoheshin shtetasit e besimit ortodoks. Veç të tjerash, kjo gjë shihet qartë edhe në një shkrim të gazetës “Besa” të datës 23 shkurt të vitit 1935, (e cila dilte në Tiranë me botues Fiqri Rusi), ku Imzot Vissarioni. ka bërë një deklaratë të gjatë në lidhje me disa artikuj të gazetës greke “Iporotikon Mellon”, e cila shpifte dhe trillonte për një krim të përbindshëm të ushtarëve grekë, (vrasja e shqiptarit Stefan Guvoli nga Dhrovjani i Delvinës), duke u’a ‘faturuar’ atë ushtarëve shqiptarë. Bashkë me deklaratën e Imzot Xhuvanit, në këtë shkrim po japim të plota edhe dy artikujt e gazetës “Besa” të Fiqri Rusit (5 dhe 6 mars 1935), ku demaskohen shpifjet dhe trillimet e shtypit grek.