Shtetasi, i cili është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta për policinë në Tapizë të Krujës është Ervin Kodra.
Mësohet se Kodra është kushëriri i Durim Bamit, një emër ky jo pak i njohur për policinë dhe ka dyshime se plagosja mund tëketë lidhje me këtë fakt.
Durim Bami i njohur ndryshe si “i forti i Niklës”, është personi i akuzuar nga ish-deputeti Tom Doshi se ishte porositur për ta vrarë, akuzë me të cilën u arrestua më 3 mars të 2015.
Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”.
Po kështu 41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Bëhet fjalë për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafuka.
Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENEA-s në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.
Fatmirësisht kushëriri i Bami, Ervin Kodra ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Forcat “Shqiponja” kanë bërë të mundur shoqërimin e pesë personave, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.