Tiranë- Kuvendi do të mblidhet ditën e sotme në seancë plenare. Me kërkesën e një grupi deputetësh do të mbahet interpelancë urgjente me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Po ashtu, në rendin e ditës janë parashikuar diskutimet edhe për projektrezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.
Seanca pritet të vijojë me diskutimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.440 datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” të ndryshuar”” si dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.242, datë 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” – nisma 1, nisma 2.
Rendi i ditës parashikon diskutime edhe për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për Diasporën të ndryshuar”, projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile” të ndryshuar”, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e projekteve të Kuçovës të financuara nga Programi i Investimeve të NATO-s për Sigurinë vitet 2019- 2022”.
Deputetët do të votojnë edhe për projektvendimin “Për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave” si dhe për dekretin “Për propozimin Kuvendit të Shqipërisë të kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës”.