Një person humbi jetën ditën e djeshme në përballje me flakët në Gjirokastër. I moshuari që humbi jetën raportohet se është shtetasi Andrea Haxhiaj. Zyrtarisht Haxhiaj është viktima e parë e zjarreve në vend. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në zonën e Lunxhërisë në fshatin Asim Zenel. Një reagim ka ardhur edhe nga ministri Peleshi, i cili e cilësoi si të rrezikshme vatrën në Lunxhëri-Antigone, duke u bërë thirrje banorëve që të zbatojnë urdhrin për evakuim.
Njoftimi policise per ngjarjen
Rreth orës 17:00, njoftohemi se në fshatin “Asim Zeneli”, në bahçen në afëri banesës së tij, shtetasi A. H., rreth 64 vjeç, ka humbur jetën, si pasojë e flakëve të përhapura nga një vatër zjarri në fshatin “Asim Zeneli”. Gjithashtu ka mbetur e dëmtuar nga flakët dhe bashkëshortja e tij, shtetasia T. H., rreth 57 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Gjirokastër. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëse. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.