SHBA- Fluturimi i dytë provë i anijes kozmike “Starship”, e kompanisë SpaceX, përfundoi me një tjetër shpërthim.
Kompania e sipërmarrësit Elon Musk lëshoi prototipin e fundit të raketës “Starship” në pjesën juglindore të Teksasit, dy muaj pasi prova e mëparshme përfundoi me një shpërthim të madh.
Raketa prej çeliku arriti lartësinë e synuar prej 10 kilometrash, por kur gjithçka dukej se po shkonte mirë, raketa 50 metra e gjatë ra në pozicion të pjerrët dhe filloi të zbriste, duke mos arritur të drejtohej në kohë për një ulje të sukseshme dhe u përplas në tokë, ku edhe shpërtheu.
Elon Musk po zhvillon raketën “Starship” për të dërguar njerëzit në Mars, mbase pas disa vjetësh. Kjo është faza e përparuar e anijeve të tij hapësinore për udhëtimet në Hënë dhe Mars, që janë në plan të leshohen në hapësirë me një mega raketë të quajtur “Super Heavy” e cila është në krijim e sipër.