Katër ditë pas humbjes së djalit të tyre dhe disa protestave të organizuara në vend për vrasjen e tij, familja e Klodian Rashës ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet me padrejtësi të tjera.
Top Channel ka siguruar letrën në të cilën shkruajnë se ndjejnë keqardhje për efektivin e plagosur në sy disa ditë më parë në protestë. Ata shkruajne se pamjet e protestave ia kanë shtuar dhimbjen.
“Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij. Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme. Djalit tonë ia mori jetën arma e një polici. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera,”-shkruhet ndër të tjera në letër.