Lewis Hamilton u nderua me titullin e kalorësit për kontributin e tij në sportet motorike, vetëm tre ditë pasi nuk arriti të merrte titullin e tetë në Formula 1.
I shoqëruar nga e ëma, 36-vjeçari u dekorua nga princi Charles në një ceremoni në kështjellën Windsor. Piloti britanik i “Mercedes” humbi titullin e vitit 2021 përballë Max Verstappen të “Red Bull” në Çmimin e Madh të Abu Dhabit. Verstappen ia kaloi atij në xhiron e fundit të garës pasi ajo rifilloi si pasojë e kalimit të një makine sigurie.
Vendimi për të garuar sërish për një xhiro, që binte ndesh me rregullat dhe protokollet e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, e la Hamilton, që kishte dominuar të gjithë garën, me gomat e vjetra. Verstappen, që kishte ndaluar për të marrë gomat e reja, ia kaloi atij dhe fitoi.
Skuderia “Mercedes” ka deklaruar se do të apelojë vendimin dhe ka kohë deri të enjten për të vendosur nëse do ta bëjë atë, apo do të tërhiqet.