Ministria e Brendshme ka planifikuar të bëjë ndryshime në ligjin për gardën e republikës, ku pritet të zgjatet periudha kohore e ruajtjes së krerëve më të lartë të shtetit pas përfundimit të mandatit. Gardës i shtohen detyra të reja të ruajë dhe dy ministra të kabinetit, ndërsa për kreun e opozitës dhe kryebashkiakun e Tiranës, do të përcaktohet nga qeveria shqiptare.
Ministria e Brendshme ka planifikuar të bëjë ndryshime në ligjin për Gardën e Republikës.
Një nga risitë e ligjit është zgjatja e periudhës së ruajtjes së krerëve të shtetit pas përfundimit të mandatit.
Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit do të kenë ruajtje fizike nga Garda e Republikës për një periudhë kohe më të gjatë se ç parashikohet aktualisht.
Nga 3 vite, pas përfundimit të mandatit, Presidenti i Republikës do të shoqërohet me truprojë për plot 5 vite pas përfundimit të mandatit 5 vjeçar.
Ruajtje më të paktë do të kenë Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të cilët pas përfundimit të detyrës, do të merren në mbrojtje për 4 vite të tjera.
Sipas ligjit aktual, Kryeministri dhe kreu i Kuvendit ruhen për 3 vite pas delegimit të detyrës tek pasardhësi.
Një nga risitë e ligjit është dhe ruajtja në rast se ndërpritet në mes mandati i krerëve të shtetit.
Kështu në rast se të zgjedhur në krye të shtetit do ndërpresin mandatin, ruajtja e tyre do bëhet sa gjysma e periudhës kohore që ata kanë shërbyer në detyrë.
Në ndryshim nga ligjit aktual Presidenti i Republikës do të merret në mbrojtje që nga momenti që zgjidhet nga parlamenti, pavarësisht periudhës që pret për të marrë detyrën.
Gardës së Republikës i ngarkohet të ruajë dhe dy ministra të kabinetit qeveritar, atë të rendit dhe sigurisë dhe për punët e jashtme.
Ndërkaq, personalitetet e tjera, përfshirë edhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha apo kreun e bashkisë së Tiranës do të përcaktohen me vendim të qeverisë nëse do u vendosen trupa ruajtëse nga garda.
Ligji për gardën i vitit 2003 e parashikonte mbrojtjen e kryetarit të opozitës.
Por, ky parashikimi u hoq në vitin 2005, duke e lënë në dorë të qeverisë.
Një tjetër risi e ligjit është dhe mundësia e përfshirjes së Forcave të Armatosura në strukturat e Gardës së Republikës.
Sipas nenit 23 të projektligjit, forcat ushtarake mund të bëhen pjesë e trupave ruajtëse vetëm për plotësim të nevojave të veçanta, me miratimin e vetë ushtarakut, por dhe ministrave përgjegjës atij të mbrojtjes dhe të brendshëm.
Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura tek Garda e Republikës realizohet duke ruajtur dhe njohur vjetërsinë e shërbimit, ndërsa ekuaivalentimi i gradave ushtarake me ato të gardës bëhet duke marrë referencë vendimin e qeverisë për ekuavalentimin e gradave të Forcave të Armatosura me gradat e Policisë së Shtetit.
Kjo është hera e tretë që bëhen ndryshime në ligj që në vitin 2003 kur është hartuar ligji për funksionimin e Gardës së Republikës.
Në vitin 2005 qeveria ndryshoi vetëm 3 nene, kryesisht për përcaktimin e personaliteteve që do ruajnë dhe objekteve.