Moderatorja Luana Vjollca konfirmoi çfarë prej pak kohësh përflitej për largimin nga Top Channel.
Në një letër të postuar në Instagram, të cilën e nis me “nuk e paskam dit’ sa shumë qenkemi dasht’ [sic]” dhe ku falenderon ndjekësit për përkrahjen, duket se nuk ka qenë plotësisht dëshirë e saj largimi nga Top Channel, por kanë ndikur “rrethanat dhe arsyet madhore”.
“Duke e marrë këtë konfirmim kaq të madh që ju kam në krahë në çdo hap, më ka lehtësuar peshën e vendimeve, ndoshta edhe pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë…”
Më pas shton:
“Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me ‘Shiko kush luan’.”
Moderatorja shton se për momentin “prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje.” Në fund, ajo la të nënkuptuar se do të rikthehet në ekran së shpejti. “Paralelisht jam duke punuar për të qenë sa më shpejt afër jush me programe argëtuese, çdo të shtunave mbrëma, sepse tradita jonë mund të vonojë, por s’mund të mungojë, premtoj!”