Papjekuria politike dhe konflikti artificial përkthet në vazhdimësi si kosto e drejtpërdrejtë mbi qytetarët.
Këtë e dëshmon më qartë shpenzimi që qeveria do të bëjë për zgjedhjet e 25 prillit. Një proces zgjedhor normal vendit tonë i kushton rreth 1 miliard lekë. Zgjedhjet e 2017, i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 6 milionë dollarë, por kjo shifër për zgjedhjet e 25 prillit, pritet të jetë shumëfish më e lartë për shkak të teknologjisë dhe shumë instrumentave shtesë.
Në një kohë kur ekonomia është në vështirësi për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, zgjedhejt pritet ti marrin buxhetit rreth 40 milionë euro. Shifra më e lartë e shpenzuar ndonjëherë. Buxheti deri në këto moment ka parashikuar 1 miliard lekë për zgjedhjet e 25 prillit, të cilat do të përdoren për fletët e votimit, pagesën e komisionerëve dhe shërbimet e tjera zgjedhore, por kjo shifër pritet të 4-fishohet.
Vetëm për identifikimin biometrik në të gjitha qendrat e votimit dhe projektin pilot të votimit elektronik, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar qeverisë plot 27 milionë euro. Por shpenzimet nuk mbyllen këtu.
Në kod zgjedhor është parashikuar që qendrat e votimit (komisionet), të monitorohen me sistem video. Ky sistem do të ketë një kosto më të paktën 3.5 milionë euro. Kostoja për kamerat parashikohet rreth 600 euro për qendër votimi, vendi në total ka rreth 5800 qendra votimi.
4- fishimi i kostove për një proces zgjedhor ka vetem një arsye: Mosbesimin që politika ka krijuar në saj të një tentative e lidershipit për të mbajtur dhe ushtruar pushtetin me çdo kusht.