Himarë– Poeti Lefter Çipa ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, në moshën 79-vjeçare. Çipa njihet si njeriu që shkroi tekste pafund për polifoninë shqiptare, duke dhuruar “perla” si psh; Bejkë e Bardhë.
79-vjeçari prej më shumë se një viti po luftonte me një sëmundje të rëndë, të cilën nuk e mposhti dot.
Lefter Çipa i këndon me zjarr dashurisë e bukurive të natyrës, vendlindjes. Ai ka krijuar shumë vargje brilante për dashurinë e bukuritë mahnitëse të brigjeve të Jonit. Vetëm pak muaj më parë mori titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, ndërsa edhe në momentet e fundit të jetës ishte duke punuar për një studim për isopolifoninë. Poeti vlonjat, Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh.