Drejtori i policisë së shtetit, Ardi Veliu, i kërkon Parlamentit t’i japë leje policisë që makinat e sekuestruara prej 25 vitesh t’i shesë për skrap. Pronarët e këtyre mjeteve nuk i tërheqin, pasi vlera e gjobës ka kapërcyer disafish vlerën e mjetit.
Në ambientet e komisariateve të policisë ndodhen 20 mijë automjete të cilat janë sekuestruar ndër vite dhe pronarët e kanë humbur interesin për to, pasi vlera e gjobës është më e lartë se vlera e makinës.
Për këtë arsye Drejtori i Policisë së Shtetit kërkon që Parlamenti të miratojë një amnisti për automjetet që janë grumbulluar deri në vitin 2013 dhe të dërgohen për skrap.
“Gjobat që duhet të paguajnë për parkim apo gjoba të tjera e kalojnë disafish vlerën e këtij mjeti dhe pronari ka zgjedhur të lërë mjetin fare në ambjentet e policisë. Parlamenti i nderuar të nxjerrë një amnisti për të gjitha mjetet që deri në 2013 janë magazinuar apo kanë ardhur në ambjentet e drejtorive të policisë”.
Sipas drejtorit Veliu, ky ndryshim pritet të ulë koston e policisë, që detyrohet të marrë ambiente me qira për magazinimin e tyre, por dhe angazhimin e 400 efektivëve për ti ruajtur përgjatë gjithë vitit.
“Konsumoj gati 400 punonjës policie që ruajnë këto ambjente apo pikat e marra me qira për të siguruar ruajtjen e këtyre. Ka shpenzime kolosale për pagesën e qirave të këtyre ambienteve”.
Kjo kërkesë e Drejtorit të Policisë u parashtrua në Komisionin e Sigurisë gjatë diskutimit për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Teksa parashtroi nevojat për shtesë në buxhet kërkoi edhe fonde për ristrukturimin e godinave të komisariateve në rrethe.