Malta do të jetë shteti i parë në Bashkimin Europian që do të legalizojë kultivimin e kanabisit në kushte shtëpie për përdorim vetjak. Deputetët do të votojnë të martën reformën ligjore e cila i mundëson qytetarëve të rrisin sasi të kufizuara kanabisi.
Sipas ligjit të ri, të gjithë personat mbi 18 vjeç mund të lejohen të mbajnë deri në 7 gramë kanabis, si dhe të rrisin deri në katër bimë në shtëpi. Projekt-ligji pritet të votohet në masë nga deputetët, pas mbështetjes së shprehur dhe nga kryeministri vendit Robert Abela.
Partia opozitare Nacionaliste ka kritikuar reformën duke thënë se “do të normalizojë dhe shtojë përdorimin e drogës në vend”.
Kryeministri Abela ka theksuar se trafikimi i drogës do të vijojë të mbetet i jashtëligjshëm. “Ligjërimi është për të adresuar një problematikë, me një qasje për reduktimin e dëmeve në mënyrë që qytetarët mos i drejtohen tregut të zi”, deklaroi ai në parlament.
Në Maltë, qytetarët që kapen me 7-28 gramë kanabis mund të gjobiten deri në €100.
Një sërë shtetesh të BE kanë dekriminalizuar posedimin dhe përdorimin e kanabisit për përdorim vetjak, por legjislacionet në të shumtën e rasteve janë disi të paqarta. Në tetor, Luksemburgu shpalli se do të lejojë kultivimin dhe përdorimin vetjak. Në Holandë, posedimi, konsumi dhe shitja e deri 5 gramë kanabis në dyqane lejohet që prej 1976. Në Spanjë lejohet përdorimi vetjak, por jo në ambiente publike e as shitja.