Nga Qendra Shëndetësore e Sarandës, atje ku po kryhet edhe vaksinimi i qytetarëve, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se ditën e sotme priten që të vijnë 50 mijë doza vaksinash të Pfizer.
“Do të kemi 50 mijë vaksina Pfizer që vijnë sot në Rinas që do shpërndahen në pikat tona të vaksinimit. Vijon puna për vaksinimin derë më derë dhe gjatë këtij muaji do të jemi pranë familjeve e të moshuarve për t’i vaksinuar pranë vendbanimit të tyre”.
Së shpejti nis edhe viti i ri akademik dhe për këtë arsye Manastirliu i ka bërë thirrje studentëve për t’u vaksinuar, pasi i gjithë muaji gusht është vaksinim i hapur që nis nga mosha 18 plus.
“Jemi të angazhuar të vijojmë gjatë muajit gusht në vaksinimin e personave mbi 18 vjeç, për të vijuar me më të riskuarit dhe duke synuar që studentët të jenë sa më të mbrojtur për të kufizuar përhapjen e variantit Delta dhe për të reduktuar rastet e rënda, fatalitetet e hospitalizimet”.