Shqipëria drejton për herë të parë Sesionin e 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, i cili po zhvillon punimet në Kopenhagen të Danimarkës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të shteteve dhe Ministra të Shëndetësisë të 53 vendeve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në cilësinë e Presidentes, po drejton këtë takim të nivelit të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19 dhe mësimet e nxjerra.
“E nderuar dhe e privilegjuar për mundësinë që Komiteti Rajonal i OBSH-së për Europën i dha Shqipërisë, për të drejtuar Sesionin e 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, që po zhvillohet në Kopenhagen”, u shpreh Ministrja Manastirliu pas zgjedhjes në këtë Sesion të Komitetit të OBSH për Europën.
Drejtues të shteteve dhe ministra të shëndetësisë së 53 vendeve, drejtori i OBSH dr. Tedros Adhanom, drejtori i OBSH për Europën dr. Hans Kluge, me pjesëmarrjen e veçantë të Princeshës së Kurorës së Danimarkës dhe ekspertëve më të njohur botëror, dr. Fauci, prof. Monti, po diskutohet për mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, për të ridimensionuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, nën dritën e pandemisë.