Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje në lidhje me mospublikimin e kontratës me Pfizer.
Shefi i qeverisë në konferencën e tij me gazetarët ka bërë me dije se dëshira e tij ishte që ta bënte publike, por është marrëveshja e Pfizerit që ka me të gjithë vendet që një gjë e tillë nuk lejohet.
“Kontrata me Pfizer është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar, nuk ka lidhje me dëshirën time ndaj është e pamundur që të bëhet publike. Nëse ju do të gjeni një vend të BE-së apo çdo vend tjetër që e ka bërë publike ne do e bëjmë të dytët.
Sekreti që mbulon kontratën e Pfizerit nuk është për çmimin por me modalitete e çdo kontrate. Për sasitë për kohën e gjëra të tjera. Secili mund të dyshojë çfarë ka dëshirë por është e verifikueshme se paratë që paguhen për Pfizer nuk mbulohen nga sekreti, dhe nuk duhet që ta ushqeni popullin me konpiracione idioteske. Asnjë kontratë e Pfizerit nuk është publike, unë nuk e dija këtë dhe më parë deklarova se do e bëja publike në Parlament, por më thanë se një gjë të tillë se bëja dot, pasi ishte sekret tregtar.
Ne kemi kapacitetin që të paguajmë për të gjithë vaksinat e popullit shqiptar, vaksinat kanë çmime të ndryshme dhe nuk mund të vëmë një çmim paraprak, me llogarinë që ne kemi për vaksinën më të shtrenjtë siç është Pfizer ne i kemi të gjitha paratë për ta marrë”, ka thënë ai.