Hasan Ferracaku dhe Elmilin Dyli, dy personat që mbetën të plagosur në përplasjen me armë zjarri në Velipojë që shkaktoi katër viktima, janë vënë në pranga. Ndërsa tre djemtë e Hasan Ferracakut, Abedin, Shyqyri dhe Besar Ferracaku, janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen si bashkëpunëtorë të masakrës së ndodhur mesnatën e kaluar në Velipojë.
Nga ana tjetër, policia bën me dije se 16 orë pas ngjarjes së rëndë që la pas katër të vrrë janë gjetur dhe dy armë zjarri, të llojit pistoleta, që janë përdorur në masakër. Armët janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekspertizë e cila do të zbulojë gjurmët e personave që e kanë përdorur.
Njoftimi i policisë Shkodër:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera grupi i posaçëm hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit mbetën të vrarë me armë zjarri 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë, bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit: H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.