Maturantët kanë dalë të pakënaqur nga niveli i vështirësive në provimet e Maturës Shtetërore, pasi kanë zhvilluar tre prej tyre.
Disa prej maturantëve, kanë dërguar mesazhe në faqen “Studentët denoncojnë”, ku shprehen se Ministria e Arsimit ka harruar vështirësitë e mësimit online dhe mungesës së mësimdhënies në periudhën e tërmetit të vitit 2019. Ata thonë se teza e provimit ishte ndryshe nga ajo që ju prezantua si model.
“Doja të thoja se kjo ishte një tallje për maturantët. Provimi nuk kishte asnjë lidhje me modelin që na u dërgua. Ministria jonë e dashur nuk llogariti aspak mësimin online dhe si padashje harroi që ne kemi që në tërmetin e 2019 që nuk bëjmë mësim tamam.
Por normalisht që ne ja kalojmë Suedisë, ja keni kaluar gjithmonë dhe mësimi online sipas tyre ka qenë super eficent. Duhet të bëjmë thirrje për protest të gjithë maturantët, boll i lamë të tallen me ne si duan. Sa për tezat që dalin nuk e di ku ndodhin por kjo është padrejtësi e madhe. Në gjimnazin tim (në Tiranë) nuk na lanë as me njëri-tjetrin të komunikojmë ndërsa nëpër rrethe i lënë të lirë.
Si gjithmonë e vetmja gjë e drejtë në këtë vend janë kullat që ndërtohen nëpër kryeqytet”, shkruhet në mesazh.