Gjatë seancës së sotme prlamentare, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur mbi diskriminim e tejskajshëm që qeveria po tregon me emërimet në postet zyrtare. Si shembull, kreu i PD-së solli rrëzimin e emrit të Simon Mirakaj për mandatin e dytë si anëtar i Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas Berishës, qeveria e rrëzoi emrin e tij duke treguar diskrimin ndaj ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve.
“Hoqët nga lista Simon Mirakën që ka qenë një i persekutuar dhe që është pasaardhës i një familje e shkëlqyer. Dhe me një kombinim individësh që i lidh krimi, i fshin emrin për të shkuar komisioner në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufijshëm. E dini që 95% të proceseve gjyqësore fitohen vetëm nga narko qeveria, qytetarët nuk fitojnë kurrë. Tani vendosët që rekursin ta shndërroni në një mekanizëm placckitje të vërtetë me vendim. Të përzgjidhni ata që nuk do të shkojnë në Gjykatë të Lartë natyrisht kundrejt shumave të majme”, tha Berisha.
Ndërkohë në një replikë të shpejtë, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se Mirakaj nuk u zgjodh pasi propozimi i tij mban firmën e ‘katranit me bojë’, duke iu referuar kështu kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha.