SHBA- Mbi 300 persona janë akuzuar për pjesëmarrje në sulmin vdekjeprurës të 6 janarit, ku mbështetësit e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, sulmuan Kongresin amerikan.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, John Carlin u tha gazetarëve se të paktën 280 persona ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Departamenti i Drejtësisë, tashmë janë arrestuar.
“Hetimet lidhur me përgjegjësit po lëvizin shpejt, në një shkallë të paprecedentë. Përgjegjësit do të përballen me drejtësinë”, shtoi Carlin.
Të paktën pesë persona vdiqën, përfshirë edhe një zyrtar policor, kur protestuesit e dhunshëm sulmuan Kongresin, në përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Bidenit ndaj Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit të vitit të kaluar.
Shumica e personave u arrestuan, pasi ata vetë kishin publikuar në rrjete sociale, duke treguar se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Disa prej të arrestuarve janë akuzuar për kërcënim ndaj ligjvënësve amerikanë.