Aktualisht ka 520 mijë refugjatë nga Ukraina në vendet fqinje dhe shifra është rritur “në mënyrë eksponenciale, orë pas ore”, tha Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën.
Grandi, i cili iu drejtua këshillit nëpërmjet telekonferencës nga Gjeneva, tha se ai ka punuar në krizat e refugjatëve për gati 40 vjet dhe “rrallë ka parë një eksod kaq të shpejtë në rritje të njerëzve – më i madhi, sigurisht, brenda Evropës, që nga luftërat ballkanike”
“Mbi 280,000 kanë ikur në Poloni. 94,000 të tjerë në Hungari, afro 40,000 janë aktualisht në Moldavi; 34,000 në Rumani, 30,000 në Sllovaki; dhjetëra mijëra në vende të tjera evropiane. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se një numër i konsiderueshëm kanë shkuar në Federatën Ruse”, tha Grandi.
Grandi tha se punonjësit humanitarë të OKB-së janë zhvendosur dhe sulmet ushtarake mund t’i detyrojnë ata të lëvizin përsëri.
“Situata po ecën kaq shpejt dhe nivelet e rrezikut janë aq të larta deri më tani, sa që është e pamundur për humanitarët të shpërndajnë në mënyrë sistematike ndihmat, ndihmën për të cilën ukrainasit kanë nevojë dëshpërimisht”, tha Grandi. “Civilët dhe infrastruktura civile duhet të mbrohen dhe të kursehen, dhe duhet t’u jepet akses humanitar atyre që ofrojnë ndihmë për ata që janë prekur nga lufta. Një dështim për ta bërë këtë do të komplikojë nivelet tashmë të jashtëzakonshme të vuajtjes njerëzore”, tha ai.