Këtë të hënë do të mblidhet sërish Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pasi pretendohet se ky i fundit ka kryer shkelje antikushtetuese par dhe përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.
Mbledhja është parashikuar që të nisi në orën 13:00, ndërsa në rendin e ditës së sotme parashikohet miratimi i procesverbalit të mbledhjes së datës 14 maj 2021. Mbledhja e fundit e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës ishte ditën e premte ku u zgjodhën edhe dy ekspertët ligjor të komisionit, Erind Mërkurin dhe Artan Spahiun.
Teksa kjo ndodh në Tiranë presidenti i Republikës Ilir Meta niset sot në një vizitë zyrtare drejt Sllovenisë. Kreu i shtetit do të marrë pjesë në përvjetorin e 10-të të Takimit të Udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet në Qendrën e Kongresit të Brdos në Kranj.
Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe Presidentët e vendeve të rajonit. Meta do të mbajë një fjalim gjatë këtij Samiti, si dhe do të zhvillojë takime zyrtare dypalëshe me homologët pjesëmarrës.