Kapshticë- Një ditë pas njoftimit se pika kufitare në Kapshticë do të mbyllej, rradhë të gjata automjetesh janë krijuar mëngjesin e kësaj të premte. Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë ka bërë thirrje që kjo pikë do të qëndrojë e mbyllur prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020.
Policia bën thirrje kalimtarëve ta shmangin kalimin nga kjo pikë kufitare.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë:
Autoritetet e Policisë Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kapshticë, sqarojnë se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.
Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.
Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.