Autoritetet turke duken tepër të angazhuara për kapjen e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”që dyshohet se fshihet prej dy javësh në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milion dollar në kriptomonedha.
Mediat turke raportojnë se policia ka dërguar një ekip prej pesë personazh në Ballkan, ku njëri prej tyre është duke punuar me autoritetet shqiptare me qëllim gjetjen dhe kapjen e Faruk Fatih Özer, i cili dyshohet se ka zhdukur rreth 2 miliard dollar të më shumë se 390 mijë investitorëve në kriptomonedhën turke “Thodex”, përcjell abcnews.al.
Ndërkohë, katër të tjerë kanë shkuar në Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi ku dyshohet se turku mund të arratiset pasi po i bëhet një ndjekje nga afër në Shqipëri.
Më herët, policia zbuloi edhe vendndodhjen e tij duke dhënë edhe adresa.
Arratia
Media turke “EnSonHaber” shkruante se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre netë, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.
“EnSonHaber” raporton duke ui referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer nuk ndejti shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë për turkun e famshëm pasi edhe ky vend ku ai fshihej u zbulua nga policia duke bërë që të transferohet sëfundmi në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmët, raporton abcnews.al.
Mediat turke raportojnë se ai dyshohet se fshihet ende në Shqipëri me synimin për t’u arratisur në një prej vendeve të Ballkanit si Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Bosnja.
Ndërkohë, policia sipas mediave turke ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.