Një servis automjetesh është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:50 në rrugën Elbasan-Ish Kombinati Metalurgjik në fshatin Katundi i Ri. Flakët kanë përfshirë gjithë biznesin, i cili tregonte pjesë këmbimi anës rrugës. Si pasojë e flakëve të zjarrit është djegur një magazinë me pjesë këmbimi si dhe dy mjete të cilat kanë qenë të parkuara brenda ambienteve të këtij servisi.
Shtëllunga të mëdha tymi u panë në zonë, ku fatmirësisht flakët u vunë menjëherë në kontroll duke mos rrezikuar banesat, çka do sillte pasoja shumë të rënda.
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, teksa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e sqarimin e rrethanave të ngjarjes.