BERAT– Drejtori i ASHK-së Berat, Ervin Nelaj është arrestuar pasditen e sotme pasi dyshohet se ka marrë para nga qytetarët në këmbim të lejeve të legalizimit. Policia bën të ditur se 38-vjeçari është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Aluizni”, pas një hetimi 9-mujor.
Mësohet se urdhri për arrestimin e zyrtarit është lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërkohë që arrestimi i tij është kryer rreth orës 18:30 nga forcat e policisë së DPV Berat, në banesën e tij, në lagjen “30 Vjetori”.
Nelaj akuzohet për “korrupsion pasiv” gjatë ushtrimit të detyrës në institucionin e ASHK-së Berat.
Nelaj, prej 7-muajsh ishte në krye të ASHK-së Berat,pas punës si inspektor e specialist në ALUIZNIN e Beratit prej 8-vitesh.
NJOFTIMI NGA POLICIA BERAT
Finalizohet operacioni policor i koduar “Aluizni”, për goditjen e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK-u. Pas një hetimi 9-mujor u finalizua operacioni policor i koduar “Aluizni”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin E. N., 38 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat. Ky shtetas dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit. Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.