Era e fortë e kësaj të marte pritet të zbutet në ditët e ardhshme, por moti i ftohtë do të vijojë të na shoqërojë edhe për pak ditë. Sipas parashikimit të metereologes Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave, kjo javë e dytë e shkurtit pritet të ketë mot të mirë, por të ftohtë. Gjatë një lidhjeje me emisionin “Rudina” në Tv Klan, Gjoni tha se temperaturat do të vijnë duke u ngritur.
Duke filluar nga sonte, kemi përmirësim të kushteve atmosferike. Do t’i lëmë pas ditët me shi, por temperaturat e ulëta, ashtu si sot, do të na shoqërojnë edhe nesër. Në zonat malore, pritet të shkojnë nga -6 deri në 3 gradë celsius, vendet e ulëta nga -1 deri në 10 dhe në bregdet 2-12 gradë celsius. Këto temperatura do na shoqërojnë përgjatë këtyre dy ditëve, pas datës 10 presim që të ngrihen. Ato më minimale edhe në zonat malore presim që të shkojnë mbi 0.
Gjoni shtoi se edhe këto ditë të mesit të shkurtit do kemi prapë temperatura të ulëta, por asgjë jashtë normales për stinën. Gjatë këtyre ditëve dhe fundjavës nuk presim reshje. Të hënën, priten reshje të dobëta në veri e verilindje të vendit, por situata është e qetë.
Vendet malore e bregdetare do të jenë të favorshme në fundjavë, sepse nuk priten reshje si dhe temperaturat do të jenë më të ngrohta.