Pasi dhuroi gjak në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Presidenti Ilir Meta kujtoi 51 jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues i një viti më parë me një kritikë të fortë për qeverinë.
Presidenti deklaroi se është e papranueshme që ende nuk është garantuar një strehim i sigurt për shumë familje të goditura më rëndë nga tërmet, Sipas Metës, kushtet e vështira ku jetojnë shumë prej tyre i ekspozojnë edhe më shumë ndaj pandemisë. Meta u shpreh se duhen gjetur përgjegjësit për shembjen e pallateve.
“Meqenëse sot është edhe përvjetori i tërmetit mjaft të fortë dhe tragjik që mori 51 jetë të qytetarëve tanë 1 vit më parë dhe që shkatërroi banesat dhe pronat e qytetarëve në Durrës, Kavajë, Kurbin, Tiranë e me radhë, shpreh solidaritetin më të thellë me këta banorë që jo vetëm vuajnë moszgjidhjen e çështjes së banimit por edhe mungesën e ndihmave dhe se një pjesë e tyre jetojnë në kushte të vështira, për shkak se dimri ka hyrë e kjo i bën më të ndjeshëm ndaj rënies së imunitetit dhe prekjen nga virusi Covid 19. Është e rëndësishme të shtohen të gjitha përpjekjet për të qenë sa më pranë tyre, sa më pak propagandë, sa më shumë punë dhe transparencë. Po ashtu ndëshkim për të gjithë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për cilësinë e dobët në ndërtesat e shkatërruara një vit më parë”,- tha Meta në prononcimin e tij.