Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vlerësuar sot figurën e Bujar Nishanit si një prej personaliteteve më serioze të këtyre dekadave.
“Dhimbje për këtë ndarje të dhimbshme dhe shumë të parakohshme të presidentit Nishani nga jeta. Ai nuk ishte vetëm një bashkëshort edhe një prind shembullor por edhe pa asnjë diskutim që ishte një nga politikanët më të përgjegjshëm dhe seriozë të këtyre dekadave. Në çdo detyrë politike dhe shtetërore shkëlqeu me korrektësinë e tij, parimet dhe konstruktivitetin që e karakterizonte. Mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar dhe interesit publik, i demokracisë dhe parimeve e vlerave të saj. Ai lë pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata të cilëve u shërbeu me përkushtim, besnikëri, historinë e institucioneve të shtetit tonë dhe pa diskutim edhe për të gjithë ata që e njohën nga pranë dhe u njohën me personalitetin e tij mjaft human”, tha Meta për mediat.