Presidenti Ilir Meta ka theksuar sot rëndësinë e votës së çdo individi në Shqipëri, në një takim me përfaqësues të Shoqërisë Civile që u mbajt online, me qëllim informimin dhe sensibilizimin e qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat Presidenti i quan “referendum historik”.
“Unë nuk jam naiv që të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, për momentin; në të ardhmen pse jo. Por ne i kemi të gjitha mundësitë si shoqëri, popull dhe institucione, të paktën t’i ngjajmë Kosovës me zgjedhjet e fundit apo Maqedonisë së Veriut.
Një temë që duhet të ishte e përfshire është ajo që ka të bëjë me krimin zgjedhor dhe veprat penale që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve. Duhet‘t’i kushtojmë më shumë vëmendje informimit të njerëzve. Sqarimit të shumë elementeve që kanë të bëjnë me informimin e votuesit dhe me mënyrën si ai do të zgjedhë dhe është e rëndësishme që të gjithë ti ndërgjegjësojmë qytetarë tanë që në një sistem demokratik fuqia është vota. Kjo është një fuqi tek e cila duhet patur besim.
Çdo demotivim, cdo indiferencë nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por edhe qytetarit që të jetë më kërkues për të qenë më aktiv. Një qytetar që nuk voton, moralisht nuk ka të drejtë të ankohet. Ashtu sikurse çdo qytetar që e shkëmben votën e tij me favore të caktuara dhe e shet votën, në atë moment ai ka humbur të drejtën e llogaridhënës ndaj atij që i ka ofruar paratë.
Ndaj unë mendoj që kemi nevojë për bashkërendim për të garantuar një proces për vendin tonë për të kapërcyer një nga kushtet për çeljen e negociatave”, tha Meta.