TIRANË– Me një urdhër të ri në Infektiv, nuk do të lejohen më ushqimet nga jashtë për të sëmurët. Kështu, familjarët do mund të sjellin për të shtruarit vetëm veshmbathje.
Ministria e Shëndetësisë, bënë me dije se vendimi është marrë nga vetë spitali, dhe deri më tani nuk bëhet fjalë për një urdhër të ministrisë për ndalimin e ushqimeve nga jashtë për pacientët.
Manastirliu në daljen e saj për mediat ditën e djeshme tha se familjarët janë lejuar që të sjellin ushqim për të sëmurët për t’u krijuar një lloj afrimiteti duke qenë se nuk i vizitojnë dot personalisht. “Rregulli i përgjithshëm para pandemisë, është që nuk lejohen ushqime nga jashtë. Në spital merr dieta të caktuara kalorike. Është vendosur nga vetë mjekët, pandemia ka krijuar edhe një lloj gjendjeje jo të mirë emocionale. Kjo ishte një mënyrë për të qenë afër familjarit. Jo se spitali e shteti nuk i garanton, por sepse ka qenë një kërkesë e familjarëve që është pranuar.”