Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka filluar mbrëmë një udhëtim në Ballkanin Perëndimor, fillimisht në Bosnjë, pastaj do të qëndrojë në Kosovë, Beograd dhe së fundi në Moldavi.
Sipas zëvendës- zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse, në Kosovë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock arrin sot, në vizitë dyditore, ku sipas agjendës, ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albani Kurti, si dhe me komandantin e KFOR-it.
Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Baerbock do të përurojë të premten, Parkun e Energjisë me Erë në Bajgorë, i cili është ngritur me mbështetjen e Gjermanisë dhe është investimi më i madh i huaj individual në Kosovë deri më sot.
Vizita e ministres së Jashtme gjermane, Analena Baerbock është e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nga marrja e detyrës. Në komunikatën e Ministrisë së jashtme Gjermane, theksohet se Ballakani Perëndimor do të jetë pritet i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe kjo dëshmohet edhe me emërimin e Manuel Sarrazinit në postin e rëndësishëm si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perendimor.
“Ballkani perëndimor ka të ardhme evropiane”, thuhet në komunikatën e lëshuar dje nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë para fillimit të vizitës në Ballkanin Perëndimor të ministres Bearbock, ku theksohet se ajo do të shoqërohet nga Manuel Sarrazin. Të premten Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Baerbock, do të vijojë udhëtimin e saj për në Beograd dhe Moldavi./ RTK