Rusi- Mjekët privatë të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny i kanë bërë thirrje atij që t’i japë fund krizës së urisë sa më shpejt që është e mundur. Navalny ka refuzuar ushqimin në burg prej tri javësh.
Kardiologu Yaroslav Ashikhmin dhe katër mjekë tjerë, kanë thënë përmes një deklarate se janë duke i kërkuar Navalnyt “që menjëherë të ndalë grevën e urisë, që ta ruajë jetën dhe shëndetin”.
“Nëse greva e urisë vazhdon edhe pak më gjatë, ne thjesht nuk do të kemi kë ta trajtojmë”, kanë thënë mjekët në deklaratën e publikuar nga Mediazona, agjenci e pavarur e lajmeve në Rusi.
Më 31 mars, Navalny, 44-vjeçar ka hyrë në grevë të urisë, duke kërkuar kujdes të denjë shëndetësor për dhimbjet në shpinë dhe mpirjet e këmbëve dhe duarve.
Fundjavën e kaluar, mjekët e Navalnyt kanë thënë se ai mund të vdesë “çdo minutë”.