Pak sekonda para se të ekzekutohej me gjashtë plumba, Edmond Koçi, i njohur edhe si Mond Çekiçi, ka debatuar me njërin prej autorëve dhe pikërisht me atë që ndodhej në timon, pasi ky i fundit i kishte bllokuar rrugën.
Gjithçka ka zgjatur më pak se 15 sekonda, momentin kur 43-vjeçari hapi derën e makinës për të zbritur, qitësi që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit ka hapur zjarr në një distancë fare të shkurtër, duke e lënë të vdekur në vend.
Ndërkohë, shoferi i Koçit arriti të largohej me shpejtësi menjëherë sapo pa që nga makina tjetër po drejtohej një armë në drejtim të tyre, i favorizuar edhe nga pozicioni pasi fare pranë tij ndodhej edhe një rrugicë që futej në bllokun e brendshëm të pallateve.
Sapo janë afruar pranë lokalit ku qëndronte shpesh Çekiçi, një makinë tip “Mersedez Benz” po i priste aty. Në momentin që ata donin të parkonin makinën, Koçi ka hapur derën për t’u thënë atyre që të largoheshin pasi i kishin bllokuar rrugën.
Në momentin që hapi derën e makinës, njëri prej tyre që ndodhej në sediljen e pasme hapi zjarr në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Për mrekulli shpëtoi shoqëruesi i tij, të cilin e mbante edhe si shofer. Ai pati fat të largohej në moment, pasi u fut menjëherë në zonën e brendshme të pallateve nga një rrugicë e ngushte që ndodhej aty.
Sipas tij, po të kishte qëndruar ende do e kishin vrarë dhe atë bashkë me Çekiçin, teksa është shprehur se kishte pak kohë që ishte shofer i tij.
“Nuk i kam parë, nuk i njoh kush ishin. Unë kisha pak kohë shofer i Mondit. Në mëngjes pranë shtëpisë së babait të Mondit na preu rrugën një makine e zezë “Benz”. Ata ishin të maskuar me kapuç dhe shall. Dola menjëherë nga makina dhe ika me vrap te rrugica ngjitur që është aty ku kishim ndaluar. Po të kisha qëndruar, do më kishin vrarë edhe mua. Unë nuk di kush ka pasur konflikt me Mondin”, është shprehur shoferi.
Mond Çekiçi ishte një ndër personazhet kryesor të botës së krimit në qytetin e bregdetar, pasi që prej krijimit të bandës së Durrësit ka qenë pjesë e saj. Sipas Policisë, 43- vjeçari dyshohet të ketë marrë pjesë direkt ose indirekt në shumë ngjarje të ndodhura në Durrës në të kaluarën, ndaj edhe pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes.