Në një kohë që SHBA po përballen me një valë të re rastesh me Covid-19 dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar 10 milion, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që duke nisur nga tani e tutje të veshin maskat mbrojtëse në mënyrë që të luftojnë pandeminë. Deklaratat i tha Biden gjatë një konference për medien, ku prezantonte një Task Forcë të re, për tu përballur me pandeminë.
“Ju përgjërohem, mbani maskë! Bëjeni për veten tuaj, për fqinjin tuaj. Mbajtja e maskës nuk është qëndrim politik, por një mënyrë e mirë për të mbajtur vendin të bashkuar. Dua të jem shumë i qartë, qëllimi i mbajtjes së maskës nuk është që ta bëjmë jetën tuaj më të vështirë, por që t’i rikthehemi jetës normale”, tha Biden.
Sa i përket aprovimit të vaksinës së coronavirusit duhet të udhëhiqet nga shkenca, në mënyrë që publiku të ketë besim tek efikasiteti i saj megjithatë theksoi edhe njëherë deklaratën e tij të mëparshme se një dimër i vështirë i pret amerikanët, e cila mund të ju marrë jetën edhe 200 000 personave të tjerë, deri sa të kemi shpërndarje masive të vaksinës.
“Ne po përballemi ende me një dimër të errët. Në Shtetet e Bashkuara janë thuajse 10 milionë raste me COVID. Javën e kaluar ne kaluam kuotën e 120 mijë rasteve në ditë. Pra, infektimet po rriten, shtrimet në spitale po rriten dhe vdekjet po ashtu. Kjo krizë merr thuajse 1 mijë jetë amerikane në ditë, me 240 mijë vdekje deri tani”, u shpreh Biden.
Pandemia ka vrarë në Shtetet e Bashkuara mbi 247 mijë persona dhe ka shkaktuar një rritje të theksuar të numrit të të papunëve.