Naftëtarët e Ballshit kanë reaguar pasi kryeministri Edi Rama u bëri thirrje për bisedime. Naftëtarët i kanë theksuar Ramës se nga ai presin zgjidhje për situatën dhe jo postime në Twitter. Po ashtu, duke iu referuar postimit në Twitter të kreut të qeverisë, ata shprehen se nuk kanë bërë asnjë herë presion dhe as nuk kanë kërkuar asgjë që ai nuk mund ta zgjidhë.
“Ne nuk kemi dalë dhe nuk kemi bërë asnjë lloj presioni krashi qeverisë dhe ne nuk kemi kërkuar asnjë gjë të pamundur, të cilën ai nuk mund ta zgjidhi. Ne kemi kërkuar një vendim gjyqi, të formës së prerë, i cili na jep të drejtën për pagat tona. Që të dalim nga kjo grevë urie, siç pretendon kryeministri, për të bërë takim, takimi ynë është tek këto naftëtare këtu që janë në grevë urie. Ne kemi shkuar në Tiranë, edhe tek Balluku dhe nuk kemi marrë përgjigje. Takimi me naftëtarët është këtu, në këtë shesh dhe në atë dhomë. Nuk duam postime në Twitter”, u shpreh një nga naftëtarët.
Më herët kryeministri Edi Rama u bërë thirrje naftëtarëve që të dalin nga greva e urisë dhe të ulen në tryezë me të për të folur për problemet e tyre. Rama theksoi se hallin e naftëtarëve nuk e ka shkaktuar qeveria dhe se kjo gjë nuk zgjidhet me presione dhe ultimatume.
Naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë që prej 24 ditësh ku protestojnë për të marrë pagat e tyre të prapambetura dhe rifillimin e punës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem. Pak ditë më parë, kreu i sindikatës Sokol Dautaj së bashku me disa naftëtarë kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, por takimi nuk ka përfunduar me sukses. Sipas Dautajt në takim u dhanë vetëm premtime boshe. Naftëtarët, prej 7 ditësh tashmë janë zevendësuar nga gratë që punonin në uzinë, të cilat për momentin konsumojnë vetëm ujë me sheqer.
