Vendet anëtare të NATO-s po dërgojnë me mijëra trupa, avionë luftarakë dhe anije tek aleatët e tyre në Evropën Lindore, mes tensioneve në rritje me Rusinë për shkak të dislokimit të më shumë se 100,000 trupave ruse në kufi me Ukrainën. Perëndimi i frikësohet një pushtimi të afërt rus, të cilin Kremlini e mohon
Katër avionë luftarakë danezë F-16 zbarkuan në Lituani javën e kaluar me synim forcimin e misionit të patrullimit ajror të NATO-s në Baltik. Që nga aneksimi me forcë i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, NATO ka dislokuar 4,000 deri 5,000 trupa në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë në gatishmëri 8500 trupa. Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se shumë shpejt do të dërgojë trupa amerikane në Evropën Lindore dhe vendet e NATO-s.
Shtetet e Bashkuara kanë tashmë me dhjetëra mijëra trupa të vendosura në Evropë, kryesisht në Gjermani dhe Britani. Sipas një skenari një pjesë e tyre të zhvendoseshin gradualisht drejt vendeve aleate lindore të NATO-s.
Franca ka njoftuar planet për të dislokuar qindra trupa në Rumani.
“Sikurse tha dhe Presidenti Macron javën e kaluar, ne kemi kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për sigurinë e partnerëve tanë evropianë në misionet e NATO-s në shtetet baltike dhe do të vazhdojmë ta bëjmë“, tha ministrja franceze e Mbrojtjes Florence Parly gjatë një vizite në Bukuresht më 27 janar.
Spanja, Holanda dhe Gjermania po shqyrtojnë gjithashtu dërgimin e trupave, avionëve dhe anijeve luftarake në vendet aleate të Evropës Lindore.
Britania ka furnizuar Ukrainën me rreth 2,000 raketa antitank dhe pritet dislokojë të tjera trupa këtë javë, duke dyfishuar potencialisht angazhimin e saj aktual prej rreth 1,150 trupash. Kryeministri Boris Johnson do të vizitojë Ukrainën këtë javë dhe do të zhvillojë një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin.
NATO ka bërë të ditur se nuk ka plane për të dislokuar trupa ushtarake në Ukrainë. /VOA