Virgil Abloh, drejtori artistik i Louis Vuitton për koleksionin e veshjeve për burra dhe drejtori ekzekutiv i Off-White, u nda nga jeta në moshën 41-vjeçare.
Përmes një deklarate zyrtare, LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton njoftoi se Abloh luftonte me kancerin prej vitesh. “LVMH dhe Off-White janë të trishtuar për të njoftuar vdekjen e Virgil Abloh, të dielën, më 28 nëntor, nga kanceri me të cilin ai luftonte privatisht prej vitesh.”
Virgil Abloh ishte dizajner, DJ dhe sipërmarrës amerikan, i cili ka qenë drejtor artistik i koleksionit të veshjeve për burra të Louis Vuitton që nga marsi 2018. Abloh ishte gjithashtu drejtori ekzekutiv i labelit me bazë në Milano, Off-White, një shtëpi mode të cilën themeloi në vitin 2012.
Me përvojë në arkitekturë, Abloh i hyri botës së modës përmes street fashion. Në vitin 2009, ai kreu një praktikë te Fendi së bashku me Kanye West. Pas kësaj ai bashkëpunoi me Kanye dhe nisi themelimin e Off-White.
Virgil Abloh ishte amerikani i parë me origjinë afrikane që ishte drejtor artistik i një shtëpie mode luksoze franceze. Në vitin 2018, ai u cilësua nga revista Time si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.