TIRANA- Kryeministri Edi Rama ka ndarë kujtimin e tij për ish-zv/kryeministrin dhe ish-ministrin Bashkim Kopliku, i cili u nda dje nga jeta pasi humbi betejën me COVID19. Në rubrikën e tij “Homazh” në Facebook, Rama shkruan se me Koplikun nuk ishte takuar kurrë, ama ishin bërë miq. Kryeministri thotë se kurrë nuk e pyeti për kë votonte, pasi e dinte se diferenca me PS ishte e madhe, por shton se ai ishte një burrë i rrallë.
POSTIMI I PLOTË I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
HOMAZH BASHKIM KOPLIKU u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes ëhatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opionionit e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike. Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.
Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën.
Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës.
Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar. U prehsh më në fund në paqe miku im.
Bashkim Kopliku nda dje mbrëma nga jeta në moshën 77-vjeçare teksa ishte duke udhëtuar me avion për t’u kuruar në Itali për shkak të komplikacioneve nga COVID19. Kopliku, 77 vjeç me profesion inxhinier elektronik, ka qenë, ish-zv/kryeministër dhe ish-ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të PD, dy herë deputet në parlamentin e Shqipërisë, ndërsa, që prej vitit 1997, ai u largua nga politika, por qëndroi aktiv në media dhe shtypin e shkruar.