Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me gazetarët këtë të hënë në Vlorë, ku midis të tjerash u fol edhe për aksin Vlorë-Orikum.
Kreu i shtetit ju përgjigj akuzave të qeverisë, sipas së cilës, ky projekt po pengohet nga presidenti.
“Lidhur me aksin Vlorë-Orikum është teper e qartë dhe flagrante që qeveria dhe institucione të tjera kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën dhe kanë kërkuar që presidenti të nënshkruajë një marrëveshje në kundërshtim me ligjin.
Së dyti, ka patur një denoncim nga deputeti Vullnet Sinaj se presidenti pengon lotin e katërt të Selenicës. Presidenti nuk ka bërë asnjë pengim të fondit. Revolta e banorëve të Selenicës është mjaft legjitime. Isha sot në Selenicë për të takuar banorët dhe përfaqësuesit e tyre për të dëgjuar shqetësimin e tyre për anulimin e lotit të katërt të rrugës së lumit të Vlorës”, tha Ilir Meta para gazetarëve.
Ndërkohë deputeti Vullnet Sinaj i është përgjigjur Presidentit Meta duke thënë se vetë kreu i shtetit ka ndryshuar qëndrim në lidhje me dekretin që vetë e ka firmosur dhe tani po i del kundër. Sinaj shprehet se e respekton institucionin e presidentit të Republikës, por thekson se ky funksion nënkupton mbi të gjitha një pozicion mbi palët, ekuilibrues dhe përbashkues.
Postimi i plotë i deputetit Vullnet Sinaj:
“Presidenti i Republikës ishte sot në Selenicë në përpjekje për të keqpërdorur një kërkesë legjitime dhe të hershme të banorëve për ndërtimin e lotit 4 të rrugës së Lumit të Vlorës.
Ndërtimi i aksit rrugor Peshkëpi-Selenicë është për mua prioritet mbi prioritete. Pavarësisht pezullimit të përkohshëm për arsye të shpjeguara qartë nga qeveria, siç ishte rritja e paparashikueshme e kostove, dua të kujtoj që kryeministri Edi Rama e ka premtuar ndërtimin e lotit 4 gjatë vizitës në Vlorë, në muajin nëntor.
Kam informacionin dhe bindjen se e zbatuar mbi një projekt alternativ, rruga Peshkëpi-Selenicë do të bëhet realitet së shpejti.
Presidentit të Republikës dua t’i kujtoj si më poshtë:
1. Kur qeveria dhe parlamenti miratuan ndryshimin e projektit të rrugës për heqjen e financimit të lotit 4, ai e dekretoi brenda javës. Nëse do ta kishte shqetësim, presidenti mund ta rikthente ligjin për rishqyrtim në parlament.
2. Nuk është detyrë e tij të merret me planifikimin buxhetor vjetor. Në varësi të dinamikave, rrethanave dhe ndryshimit të kostove të paparashikuara në një projekt, buxheti rialokohet në mënyrë që fondet të përdoren në mënyrë sa më efektive.
3. Presidenti ka drejtuar një parti e cila ka mbajtur për vite me rradhë drejtimin e ministrisë së Industrisë dhe Infrastrukturës dhe Selenicën dhe zonën e lumit të Vlorës nuk e kanë pasur ndonjëherë në kalendarin e punës.
4. Në kohën kur partia që Presidenti përfaqëson, drejtonte ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, janë lidhur shumë kontrata me firma të ndryshme që shfrytëzojnë burimet natyrore e minerare dhe dëmtojnë tokat e fermerëve në Selenicë. Këto firma kanë detyruar me forcë fermerët dhe bujqit në Selenicë të lirojnë tokat e tyre.
Unë e kuptoj që afrimi i fushatës elektorale dhe publikimi i sondazheve të ndryshme për rezultatet e partisë që ai përfaqëson, e kanë shqetësuar presidentin e Republikës.
Unë e respektoj institucionin e presidentit të Republikës, por dua të kujtoj se ky funksion nënkupton mbi të gjitha një pozicion mbi palët, ekuilibrues dhe përbashkues.
Halli i një partie politike, nuk mund të bëhet halli i gjithë komunitetit.
Nga ana tjetër, kur rruga Peshkëpi-Selenicë të ndërtohet e të bëhet realitet, do ta ftoj Presidentin të vijë nëpërmjet rrugës së re, të pijë një kafe dhe të admirojë bukuritë e zonës së Lumit të Vlorës.”– Përfundon postimin deputeti Vullnet Sinaj.